Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë që kërkesa për tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve nga Trusti pensional, është shumë e dëmshme.
Kusari-Lila ka theksuar që nuk do ta mbështesin këtë iniciativë të cilën e quajnë të dëmshme.
“Sa i përket tërheqjes së 30 përqindëshit nga Fondi pensional, për ne si grup parlamentar asnjëherë s’ka pasë dilema në raport me idenë për arsye se ka pasë tendencë që kjo ide të prezantohet si ide të cilën VV-ja apo qeveria nuk e kanë marrë parasysh, vetëm pse ka ardhë prej opozitës”.
“Kjo nuk ka të bëjë me inate politike, apo me kokëfortësinë tonë në raport me kërkesën, ne mendojmë që është kërkesë shumë e dëmshme, pasi shkatërron një sistem pensional dhe lirisht vendimi tjetër mund të jetë mbyllja komplet e trustit të kursimeve pensionale”, tha Kusari-Lila në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë.