Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Kusari tha se 28 Nëntori është ditë me rëndësi dhe peshë të veçantë për kombin shqiptar.
“Jemi këtu sot në nderim të 28 Nëntorit, ditës e cila ka shumë kuptime për kombin, në një rëndësi dhe peshë të veçantë, ditëlindja e komandantit legjenda, 110-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit, një ditë e cila në peshë dhe rëndësi çdo ditë e më shumë po tregon se sa e rëndësishme është të kultivohet dhe sa e rëndësishme është të kujtohet dhe sa e rëndësishme është që ne çdo ditë të angazhohemi që këtë ditë ta bëjmë realitet për idealin dhe sakrificën e gjithë atyre që nuk janë më”, ka thënë Kusari para gazetarëve.
Ajo tha se me përulje nderojnë sakrificën e familjes Jashari.
“Sot me përulje, si çdo herë tjetër, jemi këtu për të nderuar një sakrificë që është e pashembullt në kombin tonë në kuptimin e sakrificës për tërë familjen Jashari. Lavdi e përjetshme sakrificës së familjes Jashari dhe nderimi më i lartë për kombin shqiptar”, ka shtuar ajo.