Kuvendarët e Gjilanit miratojnë vendimin për rrënimin e objekteve të institucioneve publike, ruhet një pjesë e burgut

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë vendimin për rrënimin e objekteve të institucioneve publike, ruhet një pjesë e burgut

Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën drejtimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, në vazhdim të seancës së djeshme, ka miratuar sot vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane.

Opozita (PDK, LVV, Nisma, Vatra), e cila dje e braktisi seancën shkaku i këtij vendimi, pas insistimit që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, nuk mori pjesë as në vazhdimin e saj.

Dje, pas lëshimit të senacës, Riza Abdyli nga PDK ka thënë se nuk e mbështesin një ide të tillë, duke potencuar si pretekst ndryshimin e koeficientit të ndërtimit.

Edhe Nehat Osmani nga Vetëvendosja ka qenë kundër idesë së rrënimit, për ç’gjë bashkë me anëtarët tjerë të subjektit të tij, kanë lëshuar sallën.

Dje, nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, e ka vlerësuar si praktikë aspak të mirë lëshimin e seancës, ndërsa ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për rrënimin e plotë të objektit të komunës dhe pjesës së objektit të policisë, porse sipas tij, një pjesë do të mbetet ashtu siç është, për t’u ruajtuar në memorien kolektive, përfshirë edhe pjesën e burgut famëkeq të Gjilanit.

Senca e ndërprerë dje ka vijuar sot me të njejtën pikë të rendit të ditës, ndërsa opozita nuk ka marrë pjesë në të. Deputetja Festa Shabani tha se nuk pajtohet me pikën ku thuhet se rrënohet objekti i policisë dhe pjesa e burgut dhe si kusht për ta votuar, kërkoi që te vendimi të bëhet një riformulim në formë të shkruar, ku thuhet se ruhet dhe konservohet një pjesë e burgut, pjesa që ka të bëjë me dhomat e burgut, që shpërfaq një histori nga e kaluara jonë famëkeqe.

Festa Shabani tha se ndërtimi i administratës komunale është një projekt i shkëlqyeshëm dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos përkrahet, meqë realisht e lehtëson jetën e qytetarëve të Gjilanit, të cilët për një dokument duhet të bëjnë 3-4 kilometra rrugë nëpër qytet, duke u endur nëpër qendra të ndryshme, meqë administrata është e shpërndarë në disa objekte.
“E di se edhe qytetarët janë të interesuar për të marrë shërbime në një administratë të vetme dhe për t`u zgjeruar sheshi, siç parashihet te pika 2 e këtij vendimi”, ka thënë Festa Shabani.
Edhe Arta Haziri (AAK) tha se i mbështet projektet e mëdha që janë në interes të qytetarëve të Gjilanit, por pa e përfshirë rrënimin e tërësishëm të objektit të burgut, që shpërfaq gjurmë historike nga e kaluara e popullit shqiptar, i cili këtu ka përjetuar tortura gjatë okupimit serb.
Drejtori i Urbanizimit Bekim Bajrami tha se dakordohet me propozimet për ta riformuluar vendimin dhe sqaroi se projekti për ndërtimin e administratës së re, në të vërtetë e përfshin edhe konservimin e burgut.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini konstatoi se ky vendim hidhet në votim me plotësimin, ku thuhet se ruhet ose konservohet një pjesë e rëndësishme e burgut të Gjilanit, i cili tregon histori nga e kaluara e popullit shqiptar, veçanërisht dhomat e burgut.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe memorandumin e mirëkuptimit në mes të Komunave Gjilan, Kamenicë e Viti dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Gjilan, derisa kërkesën për zëvendësime në Komitetin për Bashkëpunim Ndërkufitar dhe Komitetin për Kulturë, Rini dhe Sport u shty për seancën tjetër, meqë përfaqësuesi i subjektit Vatra, nuk ishte i pranishëm në seancë për të dhënë arsyetimin.

Related Articles