Kuvendi del me njoftim për seancën e sotme: Vazhdimi të hënën

Kuvendi del me njoftim për seancën e sotme: Vazhdimi të hënën

Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim për punimet e seancës së sotme, e cila dështoi sërish.

Sot ishte hera e dhjetë që deputetët u mblodhën në një përpjekje të re për konstituimin e Kuvendit, por sërish pa rezultat. E propozuara për Kryetare Kuvendi nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, s’po arrin të marrë votat e nevojshme. Seanca konstituive do të vazhdojë sërish të hënën, me fillim nga orën 10:00.

Deputetët për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.

Propozimi për votim të fshehtë u bë në seancën e së enjtes nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por që nuk u përkrah nga partitë tjera. U cilësua si precedent i rrezikshëm dhe kundërkushtetues.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar fare emra për anëtarë të Komisionit, në asnjërën nga seancat.

“Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Hekuran Muratin, ndërsa subjektet që nuk i kanë propozuar anëtarët e komisionit, janë: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma Socialdemokrate”, deklaroi Dehari.

Ai kërkoi nga këto parti të propozojnë nga një anëtar, mirëpo s’pati propozime.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar, u hodh në votim.

“Kemi 54 vota për, kundër kemi një dhe nuk kemi asnjë abstenim. Atëherë obligohem ta ndërpres seancën, sepse nuk ka kuorum, dhe të shihemi të hënën, në orën 10:00”, ka deklaruar kryesuesi Dehari.

Lëvizjes Vetëvendosje i është kërkuar disa herë ta ndërrojë kandidaten për kryetare kuvendi, duke ia bërë të qartë se nuk do ta votojnë.

Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja ta ndryshojë emrin për kryeparlamentar dhe madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra – Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi, si emra që do t’i votonte.

LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Related Articles