Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës për caktimin e datës për një seancë solemne për ish-kryeministri britanik Tony Blair, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryesia e Kuvendit sot do të caktojë datën për seancën solemne në të cilën miku i madh i shqiptarëve do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit.
Ende nuk dihet data e saktë e vizitës së Blair në Kosovë
Kryesia në mbledhjen e saj nga ora 11:00, do të caktojë edhe vazhdimin e seancës nga pika e papërfunduar më 28 mars 2024 – votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.
Po ashtu do të vendoset për seancën plenare të shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 24 maj 2024 – shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.
Kryesia në propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës do të ketë miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes të financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit për gjendjen civile, votimi në parim i Projektligjit për provimin e maturës shtetërore, votimi në parim i Projektligjit për të huajt.
Në shqyrtim të dytë do të jenë edhe Projektligji për Sport, Projektligji për Rininë, Projektligji për regjistrin e pronarëve përfitues, Projektligji për falimentimin, Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Projektligji për mbrojtje nga zjarri, Projektligji për letërnjoftimin, Projektligji për Shërbimet Private të Sigurisë.
Në shqyrtim të parë do të jenë Projektligji për bankat dhe Projektligji për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror.
Në rendin e ditës të seancës që do të caktohet nga Kryesia, do të jetë edhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie.
Në rend dite do të jenë edhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, shqyrtimi i Projekt-kodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Kosovës, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Kosovës me SHBA, shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Kosova dhe raportimi i Qeverisë së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare.