Kuvendi miraton në parim projektigjin për çmimet tavan

Kuvendi miraton në parim projektigjin për çmimet tavan

Me 63 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si ligji për çmimet tavan.

Deputetët e opozitës s’e kanë mbështetur projektligjin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se fokusi është në mbrojtjen e qytetarëve dhe se ky ligj do të shërbejë si instrument i jashtëzakonshëm në situatë të jashtëzakonshme.

“Ky ligj nuk është kundër biznesit dhe tregut të lirë”, ka thënë ai, duke shtuar se ligji është vetëm kundër abuzimit me çmimet.

Ndërkaq, Arben Mustafa i PDK-së ka thënë se ky ligj s’ka qëllim të ulë çmimet, por t’i ofrojë Qeverisë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun në Kosovë dhe të pengohet tregu i lirë. Ai ka thënë se tashmë është dëshmuar se kur rriten çmimet e importit, kufizimi i marzhës tregtare s’ka rol. Po ashtu, ka thënë se projektligji parasheh një bord për intervenime kur ka rritje të paarsyeshme të çmimeve dhe ka kritikuar se mungon metodologjia mbi bazën e së cilës do të merret vendimi nga ai bord.

E sipas Janina Ymerit të LDK-së, ky bord nuk është i pavarur, por rekrutohet nga Ministria. “S’jemi vend enverist, me i pas çmimet apo ndërhyrjet në tregun e lirë me anë të një partie”, ka thënë ajo.

Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se ky bord i propozuar është politik. Sipas tij, “bordi është strukturë paralele e dikastereve brenda Ministrisë”.

Related Articles