Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë. Një rast i tillë u zbulua edhe së fundmi në rrugën “Eliot Engel” në Pejë pasi Policia ndali një veturë dhe arrestoi një person.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ylli Nezirin, 21-vjeçar, i cili është dërguar në mbajtje, nën dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Pas kontrollit policor, te i dyshuari është gjetur një armë me karikator, që janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin.
Mbajtja e armës ilegale i kushtroi të dyshuarit me arrestim dhe shoqërim në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhër për masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.