Ka përfunduar Kuvendi Zgjedhor i FC Prishtinës. Nga ky Kuvend Zgjedhor në pajtim nga gjithë aksionarët është vendosur që të mbahet edhe një Kuvend tjetër, por pas një muaji. Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi ekskluzivisht për Insajderin ka folur për Kuvendin që sapo ka përfunduar dhe investitorët e rinj në klub.
Sot me fillim të orës 13:00 është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i klubit më të madh në Kosovë, FC Prishtina. Në këtë Kuvend pjesëmarrës ishin gjithë aksionarët e klubit, me përjashtim të Afrim Muçicit.
Sipas burimeve të Insajderit brenda klubit FC Prishtina, nga ky Kuvend Zgjedhor është zgjedhur një bord i ri teknik, i përkohëshëm. Ky bord është i përbërë prej pesë aksionarëve.
Anëtar i këtij bordi do të jetë edhe aksionari Sinan Vllasaliu.
Këngëtari i famshëm tash e disa vite është aksionar në klub por nga sot do të jetë edhe pjesë e bordit të ri.
Bordi i ri përbëhet nga: Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu, Ismet Begolli, Rrahman Haradini dhe Hakif Gashi (pronar i marketeve “Meridian”).
Insajderi ka kontaktuar me presidentin e klubit, Remzi Ejupi, i cili zbuloi emrin e ish-presidentit të vendit, Behgjet Pacollit si ndër të interesuarit për të investuar në klubin kryeqytetas.
“Kuvendi ka përfunduar. Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë. Do të vijnë aksionarë të rinj. Kuvendi shtyhet për rreth një muaj deri sa të rregullohet krejt çështja e mjeteve dhe huazimeve që janë dhënë klubit. Presim të ketë investitorë serioz me potencial të madh. Sot është bërë shikimi i aksioneve dhe dhënie e mjeteve deri më tani, unë kam deklaruar se nuk do të jem më president. Shpejtë do të zgjidhet bordi i ri, pasi që të vinë aksionarët e rinj”.
“Ka të interesuar shumë, është një grup nga Zvicra, është Behgjet Pacolli, ka të interesuar nga qyteti i Prishtinës. Janë tri grupe me potencial shumë të madh, në veçanti nga Zvicra. Por ne po ashtu kemi aksionarë të fortë në klub si Meridiani, Lesna, Beni Dona, unë dhe Rrahman Haradini. Kur të vjen dikush që i sjell 51 për qind të pareve, normal që ka qef që të ketë njerëz të ri” – përfundoi deklaratën Remzi Ejup.
Kuvendi i fundit që ishte mbajtur para të sotshmit, ishte ai i janarit të vitit 2017.