Policia pak më parë njoftoi se është arrestuar edhe i dyshuari i dytë për grabitjen e armatosur në fshatin Bablak të Ferizajt, ku tre persona dyshohet se më 22 mars, ia kanë grabitur rreth 800 euro, shoferit të një veture të kompanisë “Postman”.
Sinjali mëson se i dyshuari që u arrestua është Genis Ibishi, 33-vjeçar.
Ibishi ka qenë në kërkim policor dhe pas arrestimit është shoqëruar në stacion ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje e armatosur’.
Kujtojmë se i arrestuar i parë është Amir Bekteshi, 21-vjeçar, i cili u kap në banesën e tij në Ferizaj, ndërsa në kërkim policor mbetet edhe personi i tretë, tashmë i njohur për Policinë.
Me rastin e kontrollit policor, Bekteshit iu gjet edhe arma e zjarrit, kallashnikov, që dyshohej se i njëjti e kishte përdorur për kanosjen e viktimës që e grabitën.