Ky është i dyshuari që kërcënoi me vrasje policin në Prizren, momenti kur arrestohet

Ky është i dyshuari që kërcënoi me vrasje policin në Prizren, momenti kur arrestohet

Sot u raportua për një rast të kanosjes serioze që ndodhi brenda stacionit policor në Prizren, por që i parapriu një incident ku i dyshuar është një 34-vjeçar. I riu, që dyshohet se kërcënoi me vrasje një zyrtar policor, fillimisht u ballafaqua me Policinë që e ndoqi qindra metra, derisa e kapën në një rrugë të qytetit.

Por kush është i dyshuari dhe cilat janë detajet tjera të rastit?

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuar për këtë rast është Valmir Susuri, 34-vjeçar, recidivist i veprave të ndryshme penale, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Susuri, i cili ishte në gjendje të dehur fillimisht u urdhërua  që të ndalej në një pikë kontrolli, por përveç që shpërfilli Policinë, ai edhe rrezikoi jetën e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.

I riu rriti shpejtësinë e lëvizjes duke tentuar që të ikë, por Policia arriti ta ndalojë pas qindra metrash ndjekjeje. Ai bashkë me dy miq të tij tentuan sërish të ikin, por zyrtarët policorë i futen nën kontroll.

Sinjali ka siguruar edhe pamjet e momentit kur i dyshuari është ndaluar nga Policia dhe shihet i prangosur në tokë. Në videon e dërguar nga sinjalizuesi dëgjohet i dyshuari teksa flet me zë të lartë dhe iu drejtohet policit me “qiky…”, teksa ky i fundit ia kthen “Shuj”.

Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari ka vazhduar me të njëjtat sjellje dhe ka eskaluar deri në atë pikë sa e ka kërcënuar me vrasje njërin nga zyrtarët policorë.

Kanosja serioze ndaj policit i kushtoi atij me ndalim, pasi Prokurori i Shtetit urdhëroi që i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë se Susuri është emër i njohur për Policinë, për shkak të historisë së tij të pasur me vepra të ndryshme kriminale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë.

Related Articles