Pas më shumë se 24-orësh intervenim, Ekipet e Kërkim – Shpëtimit kanë arritur të tërheqin trupin e pajetë të një kosovari, i cili kishte rënë nga një lartësi në zonën e Luginës së Valbonës, gjegjësisht te vendi i quajtur “Maja e Thatë”, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka njoftuar se personi që humbi jetën në Valbonë është mërgimtari, Liridon Azemi.
“Me dhimbje të thellë kemi pranuar lajmin për vdekjen tragjike të mërgimtarit nga Podujeva, Liridon Azemi. Ky rast i rëndë na preku thellësisht të gjithëve, veçanërisht duke i ditur rrethanat e vdekjes”, ak shkruar Bulliqi.
Tutje ai ka shprehur ngushëllime familjes, miqve e shokëve të tij.
“Në këto çaste të rënda për familjen dhe miqtë e të ndjerit është vështirë të gjinden fjalë ngushëlluese, por megjithatë secili duhet të gjej forcë për ta tejkaluar këtë dhimbje të madhe. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e shokëve të tij! Lutemi që raste të tilla të mos ndodhin më!”.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës e ka fajësuar shtetin shqiptar se nuk ka ofruar një helikopter.
Për këtë shkak ShKShMK thotë se tërheqja e viktimës u vonua dhe se “evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës”. /Gazeta Enigma/