Përveç tre të vrarëve e një të plagsuri nga rasti tragjik në Gjilan, edhe një tjetër ka mbetur i lënduar nga mjetet e forta gjatë sulmit.
I njëjti po trajtohet në Spitalin e Gjilanit, i cili raportohet të jetë Naim Hoxha, vëllai i Bujar Hoxhës.
Ai ka pësuar lëndime të lehta dhe sipas burimeve të Insajderit, është intervistuar nga policia në lidhje me ngjarjen.
Mes viktimave janë babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur si argjendarë në qytet, të cilët u vranë në rrethana të dhunshme. Personi i tretë që humbi jetën është Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës i cili është dhëndri i Selami Hasanit.
Raportet thonë se Bujar Hoxha është një nga personat kyç të përfshirë në këtë ngjarje, dhe aktualisht ndodhet në QKUK. Burime të afërta bëjnë të ditur se thelbi i konfliktit që çoi në vrasjen e trefishtë ka nisur pikërisht nga Bujar Hoxha.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime të afërta me familjarët e viktimave, del se Bujar Hoxha e kishte denoncuar para dy javësh në polici Mefail Shkodrën, në lidhje me rastin e fajdeve.
Vetëm një javë më parë, ishte caktuar një takim për të dje (ditën e ngjarjes) me Mefail Shkodrën për të sqaruar situatën e krijuar. Megjithatë, takimi nuk shkoi sipas pritjeve dhe përfundoi në mënyrë tragjike, me tre persona të vrarë.
Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendngjarje. Ndërsa tre të tjerë, Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22), janë shpallur në kërkim dhe aktualisht ndodhen në arrati.