Ky është rreshteri që u arrestua sot, kishte lidhje me grupin kriminal që bënin vrasje me pagesë

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor. Arrestimi është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” .

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreshteri që u arretua sot është Ajet Dakaj.

Sipas informacioneve të Sinjalit, Dakaj i cili ishte i njësitit antiterror, ishte i përfshirë në një grup kriminal të cilët dyshohen për tentim vrasje, rrahje, detyrim, zjarrvënie e vepra të tjera kriminale.

Në janar të këtij viti, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë, rezultoi me arrestimin e katër personave që dyshohen të jenë përfshirë në veprimtari kriminale që një periudhë të caktuar.

Ky grup dyshohet se ka operuar me pagesë, për t’u angazhuar me para për rrahjen e personave të caktuar. Hetimet e zhvilluara deri më tani kanë zbuluar së paku 6 persona, të cilët janë identifikuar si subjekt i “trajtimit” nga ky grup.

Të dyshuarit kanë kryer veprimtari kriminale me porosi, varësisht nga vepra që kanë kryer. Të dyshuarit e kanë caktuar çmimin varësisht prej intensitetit të plagosjes, rrahjes, djegies së veturës e të tjera.

Anëtarët e këtij grupi kriminal janë kapur gjatë ditës së djeshme gjatë aksionit të zhvilluar nga Policia në disa lokacione në Rajonin e Prishtinës, në asistim me Njësinë Speciale dhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se katër personat e arrestuar gjatë ditës së djeshme dyshohen për kryerjen e disa veprave penale si: Vrasje e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie, privim i kundërligjshëm nga liria, detyrim, posedim i paautorizuar i armëve e vepra të tjera.

Përveç arrestimeve, të njëjtat burime thonë se gjatë kontrolleve që janë kryer nga ana e Policisë janë sekuestruar së paku gjashtë armë, dy vetura, disa telefona e mjete të forta, që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.

Katër personat e arrestuar që dyshohen se janë përfshirë në aktivitete të kundërligjshme pas shoqërimit në stacion policor, janë intervistuar dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të merren veprimet e tjera.

Related Articles