Ky është vendi ku po mbahet ish-polici serb Dejan Pantiq

Ky është vendi ku po mbahet ish-polici serb Dejan Pantiq

Shefi i Operacioneve i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur për vendin ku po mbahet ish-polici, Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimi për kryerje të veprave terroriste.

Hoxha në emisionin “Kallxo Përnime” ka njoftuar se Pantiq ndodhet në stacionin policor në Jarinjë.

“Ky njeri ndodhet në stacionin policor në Jarinjë. Ai jeton në kushte siç jetojnë zyrtarët tonë policorë në atë stacion policor. Ai nuk fle në karrige, ai fle në shtrat, i ofrohet shërbimi, ushqimi, uji, medikamentet që ia ka përshkruar mjeku. Ne i kemi siguruar medikamentet edhe në rrugë tona para se të arrijnë ato që i ka përshkruar mjeku. Edhe një ekip mjekësor nga EULEX e ka vizituar. Ne jemi të hapur për ta monitoruar këtë punë dhe për të parë kushtet atje”- ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj maltretimi dhe mohimi të të drejtave të tij.

“Nuk ka asnjë lloj maltretimi apo keqtrajtimi fizik apo mohim të të drejtave të tij. Kushtet janë ato që janë në atë sesion policor. Por asnjë e drejtë e tij nuk është shkelur. Policia ka ndarë atë që ka për vete edhe për këtë person”- ka shtuar Hoxha.

Shefi i Operacioneve në PK ka thënë se Pantiq është vendosur në stacionin policor në Jarinjë për shkak të rrethanave të krijuara pas vendosjes së barrikadave.

“Për familjen nuk jam i sigurt, por avokati i tij ka pasur prezencë kur gjykata e ka marrë në pyetje. Liria e lëvizjes në atë pjesë është e kufizuar por barrikadat janë ato që kanë pamundësuar vizitën”- ka thënë Hoxha lidhur me pamundësinë që familjarët ta vizitojnë aty ku po mbahet.
Lexo edhe: Presidenca çeke e konfirmon, vizat kthehen nesër në agjendën e BE-së

Ish-policit Dejan Pantiq më 12 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale terroriste.

Pantiq u arrestua më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës.

Sipas ministrit Xhelal Sveçla, Pantiq “sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Related Articles