“Ky është veprim ndëshkues i Qeverisë”

“Ky është veprim ndëshkues i Qeverisë”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala e ka quajtur veprim ndëshkues të Qeverisë, rritjen deri në 100 % të normave të tatimit në pronë.

Sipas Shalës, të thuash që komunat mund të veprojnë në politika tatimore dhe shteti nuk ka mundësi ndërhyrjeje  në politika tatimore është gafë në vete.



Sipas tij, vendi është në krizë ekonomike dhe Qeveria nuk është dashtur ta bëjë vlerësimin e pronave, siç e thotë ligji.

“Është e vërtetë e madhe që me nenin 9 të këtij ligji, kompetencat e kufirit minimal dhe maksimal të caktimit të vlerës së tatimit në pronë është përgjegjësi e komunave, por ajo mund të kontrollohet, menaxhohet dhe ndryshohet nga niveli qendror. Në këtë rast në nenin 18 është e afatizume se çdo 3 vjet duhet të bëhet rishikimi i kësaj pune. Ministria në fundvitin e kaluar e ka rishikuar, por është përgjegjësi e saj që në këto rrethana ekonomike nuk u dashtë ta bëjë vlerësimin e çmimit të pronës, sepse ka qenë inflacioni e kriza energjetike”, ka thënë ai te Ditari në Tëvë 1.

Shala ka thënë se Qeveria do të duhej të ndryshonte kufijtë e çmimit minimal dhe maksimal të tatimit në pronë.

“Ministria nuk është dashtë që në rrethana krejtësisht të pafavaroshme ekonomike të bëjë vlerësimin e pronave dhe të dallojë ku është kufiri minimal. Ajo ka ingerenca që të ndryshojë kufijtë e çmimit minimal dhe maksimal. Ajo e ka ligjin e gatshëm, është dashtë të intervenojë, ta sjellë ligjin dhe ta ulë pragun minimal që është 0.15 % deri në 1 %”, ka thënë Shala.

“Qeveria ka goditur disa herë pushtetin lokal, me buxhet, projekte e shumëçka tjetër. Ajo e din pse po e bën këtë. Por intenca për të vjelë mjetet dhe për t’i mbajtur kesh mjetet, po shihet se është formulë e kësaj qeverie”, ka shtuar ai.

Related Articles