Java e 20-të në elitën e futbollit spanjoll do të mbyllet me tri ndeshje.
Humbja e Real Madrid, hapi rrugën për ndjekësit që të shpresojnë të hapin garën për titullin.
Skuadra më e afërt me madrilenët është pikërisht Sevilla, me të tjerat që kanë mbetur pak më largë.
Andaluzët kanë dy ndeshje më pak se mbretërorët, dhe nëse arrijnë pikët maksimale në këto dy takime – atëherë diferenca mes dy skuadrave do të ishte vetëm dy pikë.
Pikërisht janë ata që zhvillojnë ndeshjen e tyre sot.
Skuadra e drejtuar nga Julien Lopetegui sot është mysafire e Cadiz-it, në një ndeshje që aq sa është e lehtë në letër, është e vështirë në realitet.
Cadiz nuk po kalon një formë të mirë, por këtë sezon ata kanë qenë gjithnjë problematik për skuadrat e mëdha.
Skuadra e verdhë ka arritur barazimin 0-0 edhe përballë Real Madrid-it, edhe përballë Barcelonës.
Sevilla sonte do kërkojë që të gjejë golin herët, përndryshe ndeshja mund të bëhet shumë e vështirë.
Andaluzët nisin ndeshjen e tyre në orën 21:00.
Përveç tyre, në fushë zbret edhe Osasuna – Athletic Bilbao, në të njëjtin orar.
Kurse, dita nis me sfidën Villarreal – Levante, në orën 19:00.