I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Mali i Zi që të marrë një vendim për zbatimin e masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë.
Lajçak këtë e theksoi gjatë një bisede me ministrin e Jashtëm malazez, Gjorgje Raduloviç në margjinat e takimit ministror të NATO-së në Bruksel.
Ai ndër të tjera theksoi se Unioni vlerëson përkushtimin e dukshëm të Malit të Zi për zbatimin e një politike të jashtme të përbashkët.
Duke pasur parasysh situatën aktuale në Ukrainë, ministri i Jashtëm Raduloviç theksoi rëndësinë e integrimit të përshpejtuar në BE të Ballkanit Perëndimor si garantues i sigurisë dhe prosperitetit të rajonit, por edhe të mbarë Evropës, njoftoi kabineti i ministrit Raduloviç.
Ndryshe, javë më parë, qeveria malazeze shmangu marrjen e një vendimi për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, megjithëse Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi më 1 mars se Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç iu dha votë mosbesimi në fillim të shkurtit të këtij viti dhe deri më tani nuk është zgjedhur asnjë i ri.
Ndërsa zëvendëskryeministri Abazoviç këmbëngul që qeveria të miratojë një vendim për zbatimin e sanksioneve ndaj qytetarëve rusë që janë në listën e zezë të Bashkimit Evropian, kryeministri Krivokapiç këmbëngul në formimin e një “trupi koordinues për të monitoruar futjen dhe zbatimin e masave ndërkombëtare në lidhje me kriza në Ukrainë”.
Në seancat e kaluara të Qeverisë nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme nga ministrat për miratimin e ndonjë propozimi.
Pas vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, institucionet qeveritare duhet të ngrijnë pronat dhe burimet ekonomike të qytetarëve dhe kompanive ruse në Mal të Zi dhe të ndalojnë punën e mediave qeveritare ruse. Hapësira ajrore e Malit të Zi është e mbyllur për avionët rusë sepse vendimi formal i Qeverisë nuk ishte i nevojshëm për atë vendim.
Në takimin me të dërguarin evropian Lajçak, ministri Raduloviç përsëriti gatishmërinë e Malit të Zi për të vazhduar monitorimin e vazhdueshëm të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë bashkimin e të gjitha masave kufizuese të Bashkimit kundër Rusisë.