Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka pasë më shumë mbështetje për liberalizim të vizave.
“Jam plotësisht me ju. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, i ka përmbushur kriteret dhe është diçka që është dashur të ndodhë tashmë. Po shfrytëzoj çdo mundësi kur flas me shtetet anëtare duke e theksuar këtë çështje dhe jam plotësisht i vetëdijshëm si përfaqësues i BE-së që viziton Kosovën rregullisht se sa e rëndësishme është kjo çështje gjithashtu edhe për imazhin dhe kredibilitetin e BE-së”.
“E dini që në këtë kohë vendimi është në duart e shteteve anëtare, por çka mund t’iu them me siguri është se kurrë nuk ka qenë aq e pritshme sa është tani. Në qendër të vëmendjes është kjo dhe javën e kaluar kur janë takuar udhëheqësit e BE-së kanë folur për liberalizimin e vizave për kosovarët si çështje kryesore që duhet të përmbyllet me sukses. Presidenca çeke, që fillon këtë të premte, do ta ketë çështje në rendin e tyre të ditës”.
Megjithatë, ai nuk dha një datë se kur mund të ndodhë kjo veçse tha që kjo çështje është në qendër të vëmendjes dhe për të kanë diskutuar udhëheqësit e BE-së në samitin e javës së kaluar.
“Nuk kam të drejtë ta them kur do të vijë ky vendim, por mbështetja kurrë nuk ka qenë më e fuqishme. Vëmendja për këtë çështje kurrë nuk ka qenë më e madhe. Momentumi ekziston dhe po shpresoj që do të rezultojë në vendimin të cilin të gjithë jemi duke e pritur dhe të cilin unë e mbështes plotësisht”, ka deklaruar Lajçak para gazetarëve në fund të vizitës së tij në Kosovë.