I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të martën ka njoftuar se është takuar me nënsekretarin e Shtetit në Varshavë, Marek Prawda, për të diskutuar mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera.
Në një postim në platformën X, Lajçak ka theksuar se gjatë takimit e ka njoftuar atë për zhvillimet e fundit në dialog.
“Pata një takim të shkëlqyeshëm me nënsekretarin e shtetit në Poloni, Marek Prawda në Varshavë. Ofrova një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në rajon dhe një përditësim mbi situatën në dialog”, ka shkruar Lajçak.
Po ashtu, ai ka thënë se i është mirënjohës Polonisë për mbështetjen e ofruar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se është paralajmëruar që në javën e ardhshme të ketë takim në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ku do të trajtohet çështja e dinarit serb.