Roger Federer ka vendosur të tërhiqet nga tenisi profesionist në moshën 41-vjeçare, pas një sërë operacionesh në gju, duke mbyllur një karrierë në të cilën fitoi 20 tituj Grand Slam, përfundoi pesë sezone në vendin e parë të listës ATP dhe ndihmoi në krijimin e një epoke të artë të tenisit për meshkuj me rivalët Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviq.
Federer postoi atë që ai e quajti një “vendim të hidhur”, përmes mediave sociale të enjten, më pak se një javë pasi kampionia e madhe, fituesja e 23 Grand Slameve, Serena Williams, luajti ndeshjen e fundit të karrierës së saj. Dalja e dy tenistëve më të mëdhenj në historinë e sportit të tyre përfaqëson një kthesë të rëndësishme të ecurisë së tenisit.
“Siç e dini shumë prej jush, tri vjetët e fundit më kanë paraqitur sfida në formën e lëndimeve dhe operacioneve. Kam punuar shumë për t’u kthyer në formë të plotë garuese”, shkroi Federer në Twitter. “Por unë i di gjithashtu kapacitetet dhe kufijtë e trupit tim dhe mesazhi i tij për mua kohët e fundit ka qenë i qartë”.
Federeri nuk ka luajtur që nga turneu i Wimbledonit në korrik të vitit 2021 dhe, bazuar në këtë, lajmi për tërheqjen e tij nuk ishte edhe aq befasuese. Ai ishte paraqitur në një ngjarje që shënonte 100-vjetorin e “Centre Court” në All England Club këtë korrik dhe tha se shpresonte të kthehej për të luajtur në atë vend “një herë tjetër”.
Zvicerani gjithashtu kishte thënë se do të kthehej në turneun e vendlindjes së tij, në “Swiss Indoors”, në muajin tetor. Në njoftimin e tij të enjten, Federer tha se ngjarja e tij lamtumirëse do të jetë turneu “Laver Cup”, që mbahet javën tjetër në Londër. Ky është turne ekipor i cili organizohet nga kompania e menaxhmentit të tij.
Federeri është i martuar. Ai dhe gruaja e tij, Mirka, gjithashtu teniste, ishin takuar në Lojërat Olimpike dhe kanë katër fëmijë. Ai largohet me gjithsej 103 tituj të nivelit të turneve në rezymenë e tij të jashtëzakonshme dhe me 1251 fitore në meçet individuale. Në të dy rastet renditet i dyti, pas Jimmy Connorsit, në epokën “Open” të tenisit, e cila filloi në vitin 1968. Të arriturat e Federerit përfshijnë të qenët numri një në botë si më i vjetri në historinë e renditjes së ATP-së – u rikthye në pozitën e parë në vitin 2018 me 36 vjet.
Kur Federer fitoi titullin e parë Grand Slam në Wimbledon në vitin 2003, rekordi i meshkujve për më së shumti tituj u mbajt nga Pete Sampras, i cili kishte fituar të 14-on në US Open një vit më parë, në atë që doli të ishte ndeshja e fundit e karrierës së amerikanit. Federer do ta kalonte këtë numër, duke përfunduar me 20 tituj Grand Slam. Ai ka fituar tetë kampionate në Wimbledon, gjashtë në Australian Open, pesë në US Open dhe një në French Open.
Shërbimi, “forehandi”, këmbët dhe stili i tij sulmues do të mbahen mend nga të gjithë adhuruesit e tenisit. Gjithashtu të paharrueshme ishin ndeshjet e tij kundër rivalëve më të rinj, Nadalit (36) dhe Gjokoviqit (35), të cilët barazuan e më pas tejkaluan totalin e Federerit për Grand Slame dhe janë ende duke fituar tituj në katër turnetë më të mëdhenj të sportit. Nadal tani kryeson me 22 tituj të fituar, një përpara Gjokoviqit.
“Kam pasur fatin të luaja kaq shumë ndeshje epike që nuk do t’i harroj kurrë”, tha Federer në njoftimin e së enjtes.
Duke iu drejtuar “konkurrentëve të tij në fushë” – edhe pse jo me emër – ai shkroi: “Ne e shtymë njëri-tjetrin dhe së bashku e çuam tenisin në nivele të reja”.
Ndeshja e fundit e Federerit mbetet ajo e vitit të shkuar, më datën 7 korrik, kur humbi në “Centre Court” në çerekfinale të Wimbledonit nga Hubert Hurkacz 3:0 (6-3, 7-6, 6-0) në sete. Menjëherë pas kësaj, Federer iu nënshtrua një operacioni për të përmirësuar meniskun dhe kërcin e gjurit të tij të djathtë – operacioni i tij i tretë në atë gju në një hark kohor prej afër dy vjetësh.
“Tenisi më ka trajtuar më bujarisht sesa do të kisha ëndërruar ndonjëherë”, tha Federer të enjten “dhe tani duhet të kuptoj se kur është koha për ta përfunduar karrierën time garuese”.