Rusia e këshillon SHBA-në të evakuojë qytetarët e saj nga Kievi

Rusia e këshillon SHBA-në të evakuojë qytetarët e saj nga Kievi

Rusia ka rritur ndjeshëm kërcënimet ndaj Kievit, duke paralajmëruar “sulme të vazhdueshme”, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga kryeqyteti ukrainas.

Një ditë pasi Moska sulmoi rajonin e Kievit me qindra dronë dhe një raketë të re hipersonike, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, telefonoi sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më 25 maj, duke i kërkuar që të evakuojë stafin diplomatik dhe qytetarët amerikanë nga Kievi.

Rusia i justifikoi këto kërcënime duke iu referuar një sulmi ndaj një konvikti shkollor në rajonin e Luhanskut, që është nën kontrollin rus, javën e kaluar.

Sipas autoriteteve lokale, mbi 20 persona u vranë në qytetin Starobilsk.

Zyrtarët rusë akuzuan Ukrainën se kishte goditur qëllimisht objektin civil.

Gjatë një fjalimi javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, bëri një deklaratë të ashpër, duke e akuzuar Kievin për “terrorizëm”.

Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë thënë se forcat e tyre kanë goditur selinë e një njësie ruse të dronëve dhe kanë hedhur poshtë akuzat se kanë goditur objekte civile.

Më 24 maj, Kievi dhe qytete të tjera ukrainase u goditën nga një sulm masiv me dronë dhe raketa.

Ai ishte një nga sulmet më të rënda ndaj kryeqytetit ukrainas prej se ka nisur lufta në shkurt të vitit 2022.

Të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Rusia lëshoi një raketë të re të aftë për të bartur koka bërthamore – të quajtur “Oreshnik” – ndaj një qyteti në jug të Kievit.

Kjo është hera e tretë që Rusia e përdor këtë raketë kundër një objektivi ukrainas dhe hera e parë që godet një zonë pranë Kievit.

Në telefonatën me Rubion, Ministria e Jashtme ruse tha se Lavrov paralajmëroi se Moska po planifikon të kryejë “sulme të vazhdueshme” ndaj objektivave ushtarake ukrainase në Kiev dhe ndaj “qendrave përkatëse të vendimmarrjes”.

Ai gjithashtu e këshilloi Rubion për evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Kievi.

Përmes një deklarate tjetër, Ministria e Jashtme ruse tha se ambasadat e huaja janë informuar për mundësinë e sulmeve të reja që do të shënjestrojnë “ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes ukrainase” në Kiev.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk dha ndonjë deklaratë të detajuar për telefonatën e Rubios.

Megjithatë, duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Indi, Rubio konfirmoi paralajmërimin e Lavrovit.

“Kievi është një vend shumë i rrezikshëm tashmë prej vitesh”, tha ai.

Ministria e Jashtme e Ukrainës e përshkroi paralajmërimin rus si “shantazh të paturpshëm”, që synon të frikësojë diplomatët e huaj dhe organizatat ndërkombëtare me bazë në Kiev.

Ministria akuzoi Moskën se po përpiqet “të përhapë panik” dhe tha se kërcënimi për sigurinë nga Rusia “mbetet i njëjtë si në vitet dhe muajt e mëparshëm”.

Edhe disa diplomatë të huaj reaguan kundër paralajmërimit.

Ministria e Jashtme e Polonisë tha se Rusia “duhet të ndalojë menjëherë agresionin e saj të pajustifikuar dhe të paligjshëm”, ndërsa ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, shkroi në X: “Ne nuk po shkojmë askund.”

Rubio konfirmoi, gjithashtu, se bisedimet për paqe mes Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, janë pezulluar.

Related Articles