Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky është tregues i qartë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve të reja.
Në një deklaratë për media, LDK ka kritikuar ashpër dështimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në përpjekjen e dytë, duke e konsideruar si pasojë të “pazareve politike dhe shkeljeve procedurale”, të cilat – sipas saj – nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik.
“Realiteti është i qartë: Vetëvendosje nuk i ka numrat. Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK, ndër të tjera, thekson:
Pranimi i dorëheqjeve verbale të anëtarëve të Qeverisë, të certifikuar si deputetë, i ka hapur rrugë konstituimit formal të Legjislaturës së IX.
LDK mbetet e palëkundur në qëndrimin për të mos marrë pjesë në procese që cenojnë rendin kushtetues dhe vullnetin parlamentar.
Çdo zyrtar që ka bërë betimin si deputet dhe që vazhdon të marrë vendime si pjesë e Qeverisë pas 27 marsit, duhet të hetohet për shkelje ligjore dhe penale.
Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa shumicë parlamentare (61 vota) përbën shkelje të demokracisë.
LDK përfundon duke bërë thirrje për stabilitet institucional dhe respektim të plotë të Kushtetutës, duke u zotuar se do të vazhdojë të jetë “zëri i arsyes, i ligjshmërisë dhe i përgjegjësisë demokratike – gjithmonë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të Kosovës”.