Lidhja Demokratike e Kosovë,s po vlerëson se në rastin me rezerva shtetërore, ku dyshohet se ka keqpërdorime, janë të përfshirë edhe përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë.
Përfaqësues të kësaj partie, duke përmendur këtë rast, por edhe raste të tjera, theksuan se ka elemente për një rrjet të mirë organizuar kriminal.
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, para mediave tha se rast me rezervat shterpore, është pjesë e mozaikut në të gjitha institucionet të instaluar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, ky pushtet ka treguar paaftësi qeverisje dhe në anën tjetër ka treguar aftësi të jashtëzakonshme për kapjen e shtetit dhe shtrirjen e aktiviteteve kriminale.
Ai përmendi rastin e përgjimeve të Mimoza Kusarit, për të cilin tha se duhet të hetohet, por përmendi edhe aferën e ambasadorit Martin Berishaj, i cili mori para nga Serbia dhe Nagip Krasniqin, tashmë i arrestuar për korrupsion me tenderët njëburimor.
LDK sipas tij, inkurajon organet e rendit që të zbatojnë punën e tyre të pavarur në të gjitha rastet korruptive.
“ Të gjitha faktet e publikuara deri tani na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore, kemi të bëjmë me përfshirjen të niveleve më të larta politike të kësaj qeverie, prandaj edhe hetimet nuk duhet të ndalet tek zyrtarët dhe tek sekseri Ridnavi por duhet të përfshijë të gjitha nivelet e qeverisjes. Dorëheqja për ministren nuk mjafton, e njëjta duhet të largohet nga ai vend dhe të jep përgjegjësi para organeve të rendit”, tha ai, duke bërë thirrje pozitës që të mos sulmojë institucionet e rendit dhe drejtësisë.
Ai shtoi se do të kërkojnë në Kuvend, themelimin e një komisioni për rastin e rezervave të vendit.