Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar përçarës, ofendues, të pavend dhe të padinjitetshëm fjalimin që kryeministri Albin Kurti mbajti të enjten në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 14-vjetorin e Pavarësisë.
Sipas LDK-së, me fjalimin e tij Kurti sulmoi opozitën, mediat dhe fjalën e lirë.
“Një fjalim i tillë nuk mund të mbahet në festën e Ditës së Pavarësisë. Duket që Kurti vazhdon të mos e përjetojë 17 shkurtin si festë e moment uniteti kombëtar të Kosovës. Ai edhe në këtë ditë të madhe, si para 14 vjetëve, zgjedh të ndajë e të përçajë popullin e Kosovës. Republika e Kosovës është vendi i vizionarëve politikë, i luftëtarëve, i dëshmorëve dhe i martirëve të lirisë, vendi dhe shteti ynë i përhershëm. Kush nuk e kupton, fyen sakrificën e popullit të Kosovës, siç bëri Kurti sot”, thuhet në reagim të LDK-së./Gazeta Enigma/