Përmes NEWBORN-it Kosova përcjell çdo vit një mesazh për botën

Përmes NEWBORN-it Kosova përcjell çdo vit një mesazh për botën

Kosova shpallin pavarësinë, më 17 shkurt të vitit 2008, në mbrëmjen e atij viti u zbulua monumenti “NEWBORN”, i cili simbolizon lindjen e një shteti të ri.

Monumenti i pavarësisë të Kosovës gjendet në Prishtinë, i cili u krijua për një kohë rekord brenda 11 ditëve. NEWBORN-i brenda 14 viteve plotë 10 herë ka marr dizajn të ri duke përçuar mesazh në të gjithë botën në sfera të ndryshme.

Autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili ka thënë për  Gazetën ‘Enigma’ se kjo është vepra më e madhe që ka realizuar deri më tash.

“Kur e kam bërë realizimin e NEWBORN-it ka qenë moment më i madh se vetë jeta, është vepra më e madhe që kam bërë ndonjëherë, besoj që najhere kom me mujt me bo diçka ma të mirë se qikjo”, thotë Ismaili i emocionuar.

Obelisku i NEWBORN-it është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me shtresë metali prej 4 metra, çdo shkronjë ka lartësi prej tri metra dhe peshojnë përafërsisht një ton.

Këtë vit dizajni i kushtohet fuqisë së grave. Ismaili tregon se iniciativa për ngjyrosjen e NEWBORN-it nuk përkrahet nga Qeveria.

“Është përgjegjsi shumë e madhe për mu si realizus i monumentit sepse mbjen hise me ngjyros çdo vit, ani pse nuk jam i obliguar, nuk është monumenti im e as nuk është pronë e imja. Unë bashkë me kolegët e mi marrim gjithmonë iniciativë dhe mundin me fonde tona me ngjyros edhe me ia dhan një pamje të re edhe këtë vit”, tregon Fisnik Ismaili.

2008: Më i madh se vetë jeta

Në mbrëmjen e 17 shkurtit të vitit 2018-të, ditë kur Kosova u bë shtetet i pavarur, u zbulua NEWBORN, obelisku u bë atraksion për qytetarët, sipas statistikave mbi 150 mijë njerëz nënshkruan në shtatë shkronjat e këtij obelisku për një kohë të shkurtër.

Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi ishin të parët që nënshkruan në momumentin më të vizituar në Kosovë.

Momumenti NEWBORN më 2008

Për katër radhazi simboli i pavarësisë në Prishtinë nuk ndryshoi pamje.

Viti 2013: Mirënjohja

Qeveria e Kosovës, në vitin 2013 vendosi që NEWBORN-in ta ngjyrosë me ngjyrë të verdhë, duke rikthyer pamjen që ky monument kishte pasur në fillim.

Mirëpo, i pakënaqur me këtë, autori Fisnik Ismaili ftoi qytetarët ti bashkohen atij për ti dhënë një pamje më ndryshe NEWBORN-it.

Momumenti NEWBORN më 2013

Qytetarët u bashkuan në numër të madh për të pikturuar flamujt e 96 shteteve në shenjë mirënjohje që e kishin njohur Pavarësinë e Kosovës deri në vitin 2013.

Viti 2014: Kujtim për të rënët

Secila shkronjë në këtë vit u ngjyros me lara ushtarake, identifikuese të ushtrive të shteteve të NATO-s.

Kosova shprehi mirënjohjen për sakrificën e atyre burrave dhe grave të guximshme që ndihmuan çlirimin e Kosovës.

Momumenti NEWBORN më 2014

Viti 2015: Shprehu lirshëm

Si rikujtim për dizajnin e parë ku njerezit i shprehën ndjenjat e tyre duke shkruar me markera në monument, variant i vitit 2015 ishte vazhdim i zgjeruar i idesë së parë të realizuar.

Me monton “shprehu shlirë, njehu mirë”, qytetarët ishin të lirë të pikturonin çfarëdo që dëshironin, përveç shkronjës ”E”, e cila mbeti e zezë, shkaku që simbolizonte emigrimin masiv të qytetarëve në atë vit.

Momumenti NEWBORN më 2015

Viti 2016: Izolimi

Në pamundësinë që Kosova të integrohet në Bashkimin Europian si dhe çështjen globale të refugjatëve, në monumentin e pavarësisë u dizajnua qielli i kaltërt me re dhe i mbuluar me gjemba.

Telat me gjemba në monumentin e NEWBORN-it, ishin thirrje për botën për të gjetur një zgjidhje për këtë çështjë.

Momumenti NEWBORN më 2016

Viti 2017: T’i rrëzojmë muret

Një pjesë e madhe e strukturës e cila qëndronte e ngritur dhe e ngjyrosur si mur, kurse shkronjat N dhe W të shtruara përtokë, duke qëndruar horizontalisht, ishte forma që mori NEWBORN-i në vitin 2017.

Si reagim ndaj të gjitha mureve të tilla nëpër botë, si dhe murit i cili ndërtohej në Mitrovicën e Veriut, pranë urës së Ibrit, porosia e NEWBORN-it ishte që këto mure nuk duhej të ekzistonin.

Momumenti NEWBORN më 2017

Viti 2018: Dekada

Një dekadë për Republikën e Kosovën, ku shkronja B e NEWBORN-it u zëvendësua me numrin 1, kështu duke krijuar numrin 10-të, pasi u vendos pranë shkronjës O.

Numri 10-të u ngjyrosë me ngjyrë ari, kurse shkronjat e tjera u ngjyrosën me ngjyrë të argjendë.

Momumenti NEWBORN më 2018

Viti 2019: Mbrojtja e tokës

Kosova vitin 2019 ia kushtoi ambientit, pasi ngrohja globale ishte çështje që ngjallte brengosje në të gjithë botën.

Gjithashtu edhe në kryeqytetin e Kosovë, Prishtina kishte arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara të nxehtësisë.

Momumenti NEWBORN më 2019

Viti 2020: Luftërat e pafundme

NEWBORN-i i vitit 2020 në çdo shkronjë përmbante fjali që tregonin përjetimet e viktimave në dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Njëjtën kohë iu dedikua të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteve anembanë botës.

Viti 2021:Në përkrahje të luftës së UÇK-së

Në përkrahje të luftës së UÇK-së në vitin që lam pas, qytetarët ngjyrosën monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë.

Në nëntor të vitit 2021, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Momumenti NEWBORN më 2021

Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë duke u zhvilluar procese gjyqësore ndaj tyre.

Viti 2022: Gratë me krahë

“Winged Women” apo në shqip “Gratë me krah”, është moto që ka vendosor këtë herë autori i monumentit, Fisnik Ismaili.

“Qëllimi është me potencua suksesin e grave, suksesin e jashtëzakonshëm si në pjesëmarrjen e Lojërave Olimpike ashtu edhe film e në kategori të tjera”, ka thënë ai.

“Njëkohësisht ka të bëjë edhe me abuzimin e gruas, me shkeljen e gruas që hala është temë shumë aktuale te ne edhe krejt kjo nëpërmes dizajnit kemi me u mundu mi jep fuqi gruas, mi jep krah dhe mi përkrahë çdo herë”, thekson ideatori i NEWBORN-it për Gazetën ‘Enigma’.

Momumenti NEWBORN më 2022

Ndryshe, obelisku i NEWBORN-it disa herë ishte në vëmendje të mediave ndërkombëtare.

Promovimi më i mirë këtij obelisku iu bë përmes këngëtares Rita Ora, e cila mbi të realizoi disa pjesë të vidoklipit të një kënge të lansuar gjatë vitit 2012.

Kujtojmë se monumenti që simbolizon lindjen e një shteti të ri u vendos në qendër të Prishtinës më 17 Shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës./Gazeta Enigma/

Related Articles