LDK-ja pëson debakël nga VV-ja në Prishtinë, reagon Përparim Rama

LDK-ja pëson debakël nga VV-ja në Prishtinë, reagon Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për rezultatin e zgjedhjeve, ku LVV-ja fitoi bindshëm me vota edhe në kryeqytet, shkruan Gazeta Enigma.

Ai ka pasur fjalë të mëdha për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku.

“Në një moment sfidues për demokracinë dhe etikën publike, Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike”, tha Rama.

Investimi i tij, sipas Ramës në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale.

“Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike. Kjo qasje nuk është shenjë dobësie, por shprehje e një lidershipi të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj standardeve demokratike”.

Tutje ai shtoi se Abdixhiku “mori përgjegjësi për proceset e rëndësishme me interes kombëtar, pa shmangie dhe pa populizëm, duke dëshmuar se politika e përgjegjshme kërkon llogaridhënie dhe guxim për të mbajtur barrën e vendimeve të mëdha”.

Related Articles