Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot ka mbajtur konferencë për medie lidhur me mosfillimin e vitit shkollor.
Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku, tha se mbi 1,040 shkolla dhe 318,000 nxënës, në gjithë Kosovën tash e katër javë nuk janë duke e zhvilluar procesin mësimor.
“E gjithë kjo si pasojë e arrogancës së pushtetit i cili në vend që të dialogojë, po vazhdon me polarizim te skajshëm shoqëror duke privuar nxënësit nga mësimi”, ka deklaruar Lushaku.
Lushaku më tej, i bëri thirrje Qeverisë që në mënyrë urgjente të fillojë dialogun duke gjetur zgjidhje të menjëhershme, që procesi mësimor të fillojë sa më parë.
“Kjo krizë e krijuar është duke pasur ndikim enorm ekonomik tek familjet, pasi që prindërit janë duke rrezikuar vendet e tyre te punës. Qeveria duhet të ketë ndjeshmërinë e përgjegjësinë e duhur që fëmijët të kthehen në bankat shkollore menjëherë e prindërit t’i kthehen punës dhe funksionimit të rregullt”, ka deklaruar tutje Lushaku.