Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura më 24 maj 1992, duke i cilësuar si një ndër momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, LDK ka theksuar se këto zgjedhje shënuan pikënisjen e rrugës së gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci, nën parullën “Kosova Republikë”.
“Ngjarja e 24 majit e vitit 1992, shënon një ndër momentet më të rëndësishme të filleve të demokracisë së shtetit të Kosovës. Pikërisht para 34 viteve, më 24 maj u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale në Kosovën e trazuar nga lufta që po vinte pashmangshëm. Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale ishin pikënisje dhe zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci nën maksimën për Kosovën Republikë”, thuhet në postim.
Në këtë postim, LDK ka vlerësuar gjithashtu figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si udhërrëfyes dhe prijës shpirtëror të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Ashtu siç e kishin karakterin historik këto zgjedhje, historik ishte edhe procesi i zgjedhjes plebeshitare të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Ai u bë udhërrëfyes, misonar e prijësi shpirtëror i mbarë popullit në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci dhe në miqësi të përhershme me ShBA dhe miqtë tanë ndërkombëtar. Figura e Presidentit Rugova është e pazëvendësueshme; ai për më shumë se dy dekada udhëhoqi popullin e tij në rrugën për ta fituar lirinë dhe formuar shtetin demokratik. Populli i Kosovës sot, feston 24 majin, si ditën e Presidentit, duke nderuar kështu veprën historike të atit themeltar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova; figurën emblematike të shtetit tonë, arkitektin dhe projektuesin e pavarësisë që ne e gëzojmë sot”, shkroi LDK.
