Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në një konferencë për media ka kritikuar programin e Qeverisë Kurti 2 që u publikua dje, raporton Gazeta Enigma.
Mustafa tha se nuk ka plane konkrete se çka do të bëjë Qeveria për ekonominë e vendit.
“Ky program është i zbrazët me deklarime boshe. E konsiderojmë absurde që programi premton zhvillim ekonomik pa thënë asnjë fjalë se sa do të jetë rritja ekonomike, sa do të jetë buxheti, sa do të ketë investime të huaja, sa do të rritet prodhimi vendor. Në këtë program, përkundër premtimeve, nuk ka masa. Ka shumë fjalë, asnjë masë, asnjë shifër. Nuk ka asnjë fjalë të vetme për buxhetin që do të planifikojë Qeveria drejt rimëkëmbjes ekonomike”, tha Mustafa në këtë konferencë.
Më tutje ai tha se në programi qeverisës për sektorin e ekonomisë nuk është paraparë as programi për rimëkëmbje.
Mustafa deklaroi se qeveria në këtë program nuk ka thënë asnjë fjalë as për buxhetin dhe për një plan afatgjatë për rimëkëmbje.
“Për tu bërë hapja dhe rimëkëmbja e sektorit privat edhe vaksinimi duhet që të bëhet shpejtë. Por qeveria përkundër premtimeve për ndryshime të mëdha, nuk ka program për rimëkëmbje, nuk ka masa, nuk ka buxhet. Nuk ka asnjë fjalë të vetme për buxhetin të cilin e planifikon qeveria drejt rimëkëmbjes ekonomik dhe zhvillimit në plan afatgjatë. Nuk parashihet asnjë projekt kapital për katër vitet e ardhshme përveç aty që do të vazhdojnë”, ka thënë më tutje Mustafa.