LDK zyrtarizon kandidaturën e Sokol Halitit për kryetar të Vitisë

LDK zyrtarizon kandidaturën e Sokol Halitit për kryetar të Vitisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Sokol Haliti është zyrtarisht kandidati i kësaj partie për Kryetar të Komunës së Vitisë edhe për një mandat, raporton Gazeta “Enigma”.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka theksuar se nominimi i Halitit nga kryesia e degës së LDK-së në Viti është një dëshmi e përkushtimit dhe punës së tij shumëvjeçare në krye të komunës.

“Sokoli është figura e përkushtimit të qetë. Është njeriu që nuk ka ndërtuar pushtet mbi zhurmë, por mbi punë. Nuk ka kërkuar lavdi politike, por e ka merituar respektin e qytetarëve me thjeshtësi, me ndershmëri dhe me shërbim”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ai vlerësoi lart punën e Halitit gjatë tri mandateve të tij, duke theksuar se në Viti janë realizuar projekte konkrete, janë ndërtuar rrugë dhe shkolla, janë zgjeruar shërbimet shëndetësore dhe janë modernizuar fshatrat.

“Sokolin e njoh prej vitesh. E kam parë në punë, në përgjegjësi, në heshtje. Ai gjithmonë ka qenë pranë njerëzve – në zyrat e komunës, në rrugët e qytetit, në vizita nëpër fshatra. Shembull për ne të gjithë”, u shpreh kreu i LDK-së.

Sipas tij, Haliti ka përballuar sfidat pa u ankuar dhe se me vizionin e tij dhe mbështetjen që ka në Viti, LDK pret që katër vitet e ardhshme të jenë edhe më të suksesshme.

“Për vizionin që ka, ai dhe LDK bashkërisht, si dhe për mbështetjen e madhe që e gëzon në Viti, këto katër vite do të vijnë”, përfundoi deklarimi i Abdixhikut.

Related Articles