“Le Monde”: Prishtina një Ibiza për COVID-19

“Le Monde”: Prishtina një Ibiza për COVID-19

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është krahasuar me qendrën e njohur botërore të jetës së natës, Ibizën. Mediumi i madh francez “Le Monde” këtë krahasim e ka bërë duke iu referuar Prishtinës si “qendër e COVID-19” e jo e turizmit, siç njihet Ibiza.

Bëhet fjalë për mërgimtarët që nga Kosova verës u kthyen në Zvicër e që nga nacionalistët u konsideruan si fajtorë për rritjen e rasteve me COVID-19 në shtetin helvetik.



Siç shkruan ky medium, shpërthimi me koronavirus në tri javët e fundit në spitalet e Zvicrës, besohet të ketë origjinë nga jashtë kufijtë. Janë fajësuar fillimisht pushuesit nga plazhet e Evropës. Por po ashtu, e me më shumë eksplozivitet, është fajësuar një komunitet i huaj, ai kosovar.

“Janë 200 mijë kosovarë dhe lidhja mes Konfederatës dhe shtetit të vogël shqipfolës në Ballkan, është aq e madhe sa që shpeshherë klasifikohet si ‘kantoni i 27-të’. Por të gjithë pajtohen për diçka: Këtë verë, Prishtina ishte Ibiza”, ka shkruar “Le Monde” të mërkurën.

Ky medium ka vazhduar se si Kosova e priti diasporën nga e gjithë Evropa e më gjerë. Vetëm në korrik, 446 mijë pasagjerë arritën në Aeroportin e Prishtinës, nga 88 mijë sa ishin një vit më herët dhe 280 mijë më 2019, “në vitin e fundit normal”. Se si të shpjegohet kjo? “Le Monde” ka folur me shqiptarë të Zvicrës. Mikrobiologja Fatime Imeri ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se kosovarët s’i kanë parë të afërmit për gati dy vjet. Ndërkaq Vjosa Gërvalla nga mediumi “Albinfo” në Zvicër, ka thënë se në këtë shtet “ksenofobia është refleks natyror kur diçka s’është në rregull” duke iu referuar akuzave e presionit se kosovarët po ktheheshin në Zvicër me virus e po i mbushin spitalet.

“Një festival i vërtetë: Disko, klube dhe restorante të mbushura përplot deri në orët e para të mëngjesit, qindra dasma gjigante me më shumë se 300 e më shumë mysafirë, ndeja gjithandej, madje edhe në plazhet e Shqipërisë, e asnjë maskë në horizont, e as masa mbrojtëse që kur Qeveria e Kosovës i hoqi të gjitha para pushimeve”, ka vazhduar ky medium.

“Le Monde” ka shtuar më tej se me kthimin e kosovarëve nga pushimet spitalet në Zvicër kuptuan se diçka s’ishte mirë. Repartet intensive u mbushën, me të rinj, të pavaksinuar e shumica me origjinë të huaj.

Pas shtimit të rasteve me COVID-19, në Zvicër edhe mediumet zvicerane nisën me apele në gjuhën shqipe për vaksinim te komuniteti shqiptar.

Related Articles