Lekaj ka një lutje për ZRrE-në: Mos e rritni çmimin e energjisë, po e përshpejtoni ikjen e qytetarëve nga vendi

Lekaj ka një lutje për ZRrE-në: Mos e rritni çmimin e energjisë, po e përshpejtoni ikjen e qytetarëve nga vendi

Qytetarët e Kosovës mund të përballen edhe me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur në janar procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë, shkruan Gazeta Enigma.

Së fundmi Zyra e Rregullatorit të Energjisë e paralajmëroi mundësinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Javën e ardhshme, ky institucion do ta publikojë raportin mbi shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, i cili është hapur më 11 janar të këtij viti, pas kërkesës nga KEDS-it dhe KESCO-ja.

Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRRE-së, në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, tha se shqyrtimi i jashtëzakonshëm është i domosdoshëm pasi që janë plotësuar kriteret ligjore.

“Shqyrtimi i jashtëzakonshëm, si një prej aktiviteteve që nuk mund të parashihet në kuadër të aktiviteteve dhe të planit të performancës, është edhe shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike, i cili edhe në vitin e kaluar ka ndodhur një herë. Por, edhe këtë vit domosdoshmërish është duke ndodhur, për shkak se janë plotësuar kriteret e parapara me ligj dhe ZRRE-ja, në dhjetor të vitit të kaluar, ka hapur edhe shqyrtimin e jashtëzakonshme të tarifave për vitin 2023”, deklaroi Fejzullahu.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me deputetin e AAK-së Pal Lekaj.

Deputet i AAK-së, Pal Lekaj

Lekaj në një përgjigje për Enigmën, lidhur me kërkesën e fundit nga ZRrE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, deklaroi se një gjë e tillë duhet të mos pranohet nga spektri politik.

“ZRRE ka planifikuar që me rishikim të jashtëzakonshëm ta parashehë mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kjo duhet të jetë e pa pranueshme nga i gjithë spektri politik dhe duhet të kemi reagim edhe nga qytetarët e Kosovës me mjete demokratike”, potencoi Lekaj.

Deputeti u shpreh se një kërkesë si kjo e ka kundërshtuar qysh në fillim, sipas tij rritja e çmimit të energjisë elektrike është si një lloj ndëshkimi ndaj qytetarëve sidomos në një situatë që gjendemi me një krizë ekonomike dhe sociale.

“Unë e kam kundërshtuar këtë ide ditën e djeshme para Bordit të ZRRE-së, madje ju thashë që fillimisht mendova që do të ketë rishikim për ulje dhe rikthim të çmimit të vjetër të energjisë e jo rritje tjetër plus, në dëm të qytetarëve. Vërtet qytetarët po ndëshkohen nga faturat e larta të energjisë, sidomos në stinën e dimrit, duke mos e harruar krizën ekonomike dhe sociale në Kosovë”, vazhdoi Lekaj.

Ndër të tjera Lekaj ka një kërkesë ndaj ZRrE-së, të mos rritet çmimi i energjisë elektrike.

“Ju bëjë lutje ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës që mos ta rritin çmimin e energjisë, sepse vetëm po e shpejtojmë ikjen e qytetarëve nga vendi, nga jeta e vështirë”, përfundoi Lekaj për Enigmën.

Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se shqyrtimi i tarifave jodomosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë.

“Mesazhi që doli është se paralajmërohet shtrenjtimi i energjisë elektrike. Nga perspektiva juaj, në këtë fazë çka ju po shqyrtoni është rritja e kostos operative, e cila jodomosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë në rast se ka subvencione… Por në rast se ka subvencione, siç është rasti i 75 milionë eurove nga BE-ja, ne jodomosdoshmërisht mund të nxjerrim një konkluzion të tillë, në këtë fazë”, tha Muja./GAZETAENIGMA/

Related Articles