Pas deklaratës së deputetit të Levizjes Vetvendosje, Mefail Bajqinovci, për rrëzimin e Qeverisë ku thotë se nuk ka fuqi politike ta rrëzoj Qeverinë Kurti, ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, ka reaguar ndaj deklaratës së Bajqinovcit, duke thënë se rrëzimi nënkupton bllokimin e punëve të Komisionit dhe Seancave parlamentare, dhe në momentin që ndalet puna dhe funksionimi i legjislativit atëherë Qeveria duhet të jap dorëheqje.
“Rrëzimi nënkupton bllokimin e punëve të Komisionit dhe Seancave parlamentare, përmes mjeteve demokratike. Dhe në momentin që ndalet puna dhe funksionimi i legjistlativit atëherë një qeveri normale jep dorëheqje dhe vendi shkon në zgjedhje ”, u shpreh Lekaj.
Tutje ai thotë se në rast që cenohet shtetësia dhe siguria e shtetit mund të ketë edhe protesta në rrugë dhe të bllokohen të gjitha aktivitetet dhe eksperimentet e kësaj Qeverie.
“Gjithashtu, në rast që cenohet shtetësia dhe siguria e shtetit, ne nuk përjashtojmë edhe protestat në rrugë dhe ndaljen e aktiviteteve dhe eksperimenteve të kësaj Qeverie”, tha Lekaj për Gazeta Blic.
Lekaj për deputetët e pushtetit thotë se nuk kanë kulturë politike, dhe kanë arrogancë në çdo komision dhe seancë parlamentare.
“Deputetët e pushtetit në vazhdimësi janë ata të cilët nuk kanë kulturë politike dhe kanë arrogancë në çdo komision e seancë parlamentare, duke dëmtuar mundësin e politikave të mira publike për vendin tonë. Duke shfrytëzuar numrat dhe fuqinë e Qeverisë, çdo ide dhe çdo politikë që e kemi filluar që 3 vite në të mirë të qytetarëve dhe shtetit është refuzuar dhe nuk kemi marrë përkrahje”, tha ai.