Është lëshuar sot plotësisht për qarkullim uji në kanalin e Ibër-Lepencit, pas sulmit terrorist që ndodhi në këtë kanal, muajin e kaluar.
Këtë e bëri të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Jam i gëzuar dhe falënderues për të gjithë ata që kontribuuan drejtpërdrejt që kanali të sanohet dhe për asnjë moment qytetarët të mos mbesin pa rrymë e ujë”, shkroi Durmishi në një postim në Facebook.
Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.
Ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /Gazeta Enigma