Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme duke kërkuar anulimin e rreth 19 mijë votave të LDK-së të ardhura me postë, me pretendimin se janë manipuluar.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi thotë se janë të bindur dhe “duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
LVV thotë se “vetëm përmes pranimit të ankesës sonë mund të rivendoset legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë”.
“Faktet kanë dëshmuar për një vjedhje industriale të votave dhe presim nga Gjykata Supreme që të korrektojë vendimin e padrejtë të PZAP-së e të marrë vendimin e duhur për ta parandaluar një precedent të tillë në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dy ditë më parë i ka hedhur si të pabazuar ankesat e subjekteve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe PDAK-LPB.