Liderë të Kosovës e Bosnje dhe Hercegovinës kanë folur lidhur me situatën Rusi-Ukrainë në një intervistë të publikuar së fundi në mediumin prestigjioz, The Guardian.
Sefik Dzaferoviq, anëtar i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Albin Kurti e Vjosa Osmani, kryeministri e presidentja e Kosovës, kanë deklaruar se BE-ja dhe NATO-ja duhet t’i përshpejtojnë shqyrtimet e aplikimeve nga shtetet e Ballkanit.
Derisa Rusia po largohet nga Këshilli Europian, Kosova po aplikon për t’u bërë pjesë e këtij institucioni.
“Çdo gjë që shohim në Ukrainë, sjell kujtime nga çmimi i lartë që neve na është dashur ta paguajmë që të arrijmë lirinë tonë. Ne mund të jemi një vend i vogël, por shpresojmë që kemi një zë të lartë që tregon se nuk ka çmim shumë të madh që të mbrohet demokracia”, ka thënë Vjosa Osmani.
Kurti në anën tjetër, është shprehur i frikësuar se lufta mund të zgjerohet edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Kam frikë se sa më shumë që vazhdon lufta, aq më të mëdha janë mundësitë e përhapjes edhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo sepse është në interesin e Federatës Ruse që të ketë terrene të reja beteje”, tha ai.
Dzaferoviq, politikani boshnjak, ka thënë se Milorad Dodik inspirohet nga Rusia, prej së cilës i vjen edhe kurajo për ta destabilizuar Bosnjën.
“Dodik po mundohet që të përfitojë avantazh duke marrë parasysh se vëmendja e perëndimor është e fokusuar në Ukrainë. Ai po inkurajohet me sjelljet e tij nga Rusia, e cila gjithmonë ka treguar se është e gatshme ta destabilizojë pjesën e butë të BE-së dhe NATO-s”, tha ai.
The Guardian raporton se prononcimet e liderëve të rajonit vijnë në kohën kur ministrja gjermane e punëve të Jashtme, Annelana Baerbock ka nisur një vizitë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë janë anëtar të NATO-s dhe të gjitha këto shtete kanë dyfishuar thirrjet e tyre për përparim serioz në lidhje me aplikimet e ngecura për t’u anëtarësuar në BE.
Sa i përket Kurti e Osmanit, The Guardian raporton se partnerët qeverisës përballen me një pengesë të veçantë, pasi pesë vende të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.