Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e fundit ku edhe ka njoftuar se ka rritje të inflacionit prej 4.2 për qind, shkruan Gazeta ‘Enigma”.
Sipas këtij raporti indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK), është më i lartë në një mesatare prej 4.2 për qind në muajin shtator të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar.
ASK ka njoftuar se çmimet e pushimeve të organizuara u rritën me 23.1%, biletat e fluturimeve me 22.5%, energjia elektrike me 17.4%, kafeja, çaji dhe kakaoja me 14.2%, si dhe pemët me 13.0%.
LEXO: Rritja e inflacionit për 4.2 për qind barrë shtesë për familjet me paga mesatare
Po ashtu rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1%), qumështi, djathi dhe vezët (8.8%), shërbimet hoteliere (8.3%), dhe vajrat e yndyrat (6.8%).
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me statistikat e fundit të ASK-së ku tregojnë rritjen e Inflacionit për 4.2 për qind.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj, thotë se rritja e inflacionit ishte e paralajmëruar, institucionet duhet të veprojnë.
Dreshaj në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se mungesa e masave konkrete nga institucionet ka ndikuar në përkeqësimin e kushteve ekonomike për bizneset dhe qytetarët.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pas publikimit të të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku inflacioni ka shënuar rritje prej 4.2 për qind. LBK thekson se një situatë e tillë ishte e paralajmëruar që më herët, duke vlerësuar se mungesa e masave konkrete nga institucionet ka ndikuar në përkeqësimin e kushteve ekonomike për bizneset dhe qytetarët”, tha ai.
Tutje Dreshaj theksoi se “këta si LBK kemi paralajmëruar se rritja e çmimeve, e ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, do të krijojë presion shtesë mbi bizneset vendore. Për fat të keq, këto paralajmërime nuk janë marrë seriozisht”.
Lidhja apelon që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të menjëhershme stabilizuese, përfshirë: mbështetje fiskale për bizneset prodhuese, dhe politika që nxisin prodhimin vendor.
“Ekonomia vendore ka nevojë për stabilitet, parashikueshmëri dhe partneritet real mes institucioneve dhe sektorit privat,” deklaroi Dreshaj për “Enigmën”.
LEXO EDHE: A ka rritje të çmimit të derivateve?
Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -3.1%, duke ndikuar me -0.2 për qind në indeksin e përgjithshëm. Në krahasim me muajin gusht 2025, çmimet mesatare të konsumit në shtator ranë për 0.2%.
Kjo rënie mujore është shpjeguar me uljen e çmimeve te karburantet dhe lubrifikantët (-3.6%), pemët (-2.8%), biletat e fluturimeve (-1.6%), dhe energjinë elektrike (-1.2%).
Megjithatë, disa kategori shënuan ngritje, përfshirë lëndët djegëse të ngurta si druri e peletët (1.4%), qumështin, djathin dhe vezët (1.1%), blerjen e automjeteve (0.6%) dhe shërbimet hoteliere (0.4%). ASK bën të ditur se këto luhatje të çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK). /Gazeta Enigma/