Ligjvënësit francezë kanë miratuar një rezolutë në mbështetje të Ukrainës.
Kjo rezulutë bën thirrje për rritjen e ndihmës politike, ekonomike dhe ushtarake të vendit të shkatërruar nga lufta, përfshirë edhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse, raporton agjencia e lajmeve “AP”, transmeton Gazeta Enigma.
Rezoluta, që u miratua të mërkurën në mbrëmje me 288 vota pro, 54 kundër dhe 132 abstenime, nuk është e detyrueshme të zbatohet prej qeverisë franceze.
Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe aleatët e tyre patën ngrirë asetet ruse në vlerë prej 300 miliardë dollarësh, me shumicën që mbahen në depozitat e kompanisë Euroclear në Belgjikë.
Ndonëse, kryeministri francez, Francois Bayrou nuk e ka përjashtuar mundësinë rreth përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën, politikanët francezë janë të ndarë mbi këtë çështje, me shumë prej tyre që argumentojnë se përdorimi i aseteve ruse përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ministri i deleguar për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ka argumentuar se çfarëdo vendimi në lidhje me asetet e ngrira ruse, “duhet të mirret në kuadër të kornizës së Bashkimit Evropian”. /Gazeta Enigma