Limaj: Me inate e ego nuk ndërtohet shteti – do japim kontribut për tejkalim të krizës

Limaj: Me inate e ego nuk ndërtohet shteti – do japim kontribut për tejkalim të krizës

Fatmir Limaj është rizgjedhur kryetar i Nismës Socialdemokrate në Kuvendin e tretë zgjedhor të kësaj partie, ku morën pjesë mbi 350 delegatë.

Në fjalimin e tij pas rizgjedhjes, Limaj u zotua se nuk do të ndjekë politika që, sipas tij, ndërtohen mbi disponime ditore apo ndikime nga rrjetet sociale dhe ambientet joformale.

“Nuk kam bërë dhe as nuk do të bëj politika që imponohen nga disponimet ditore, nga rrjetet sociale apo nga kafet. Ne jemi këtu për vendime të vështira, por të drejta”, deklaroi ai.

Limaj e cilësoi situatën aktuale në vend si krizë institucionale dhe fajësoi për këtë partitë që kanë marrë më shumë vota nga qytetarët.

Ai theksoi se Nisma Socialdemokrate është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet për formimin e institucioneve, por brenda kufijve të mandatit që u ka dhënë elektorati.

“Përgjegjësinë për krizën e kanë ata që kanë më së shumti vota. Ne nuk mund ta marrim rolin e të tjerëve, por do të japim kontributin tonë aty ku na takon”, u shpreh Limaj.

Duke folur për përgjegjësinë politike dhe lidershipin, ai tha se lidershipi i vërtetë nënkupton tejkalimin e vetvetes dhe gjetjen e zgjidhjeve në situata të vështira.

“Me inate e ego nuk ndërtohet shteti. Lidershipi është kur në situatën e pamundur e bën të mundur për vendin tënd. Ne refuzojmë politikën e hidhërimit dhe duam të marrim përgjegjësi sipas besimit që na kanë dhënë qytetarët”, shtoi Limaj.

Në vijim të fjalës së tij, ai citoi Winston Churchill duke thënë se “njerëzit e mençur gjërat e komplikuara i thjeshtojnë”, ndërsa kundërshtoi qasjet që komplikojnë çështjet e thjeshta. Ai theksoi se shumë vendime politike mund të mos kuptohen në moment, por koha u jep vlerësimin e duhur.

Limaj gjithashtu theksoi se partia që ai udhëheq do të vazhdojë të promovojë drejtësinë sociale dhe nuk do të bëjë kurrë kompromise me vlerat e luftës çlirimtare.

“Trashëgimia historike e Kosovës është vlerë themelore e shtetit tonë. Lavdia e saj kulmon me luftën çlirimtare, e cila është bazamenti i gjithçkaje që kemi sot. Do të jemi gjithmonë në mbrojtje dhe afirmim të këtyre vlerave”, përfundoi Limaj.

Rizgjedhja e Limajt në krye të Nismës Socialdemokrate shënon vazhdimësinë e një udhëheqjeje që, sipas tij, synon vendime të qëndrueshme, korrektësi politike dhe mbrojtje të vlerave themelore të shtetësisë së Kosovës.

Related Articles