Kryetari i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partitë opozitare duhet të tentojnë të krijojnë “masë kritike” dhe jo të mjaftohen vetëm me debate parlamentare në kundërshtim të qeverisjes së Albin Kurtit.
Kryetari i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përveç pushtetin e ka kritikuar edhe opozitën parlamentare në Kosovë.
Limaj në “Debat Plus”, tha se partitë opozitare po tregohen hipokrite në raport me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas tij nëse opozita e cilëson Kurtin të rrezikshëm me deklarata, atëherë duhet të pasojnë edhe veprimet konkrete kundër tij.
“Nëse ky person është rrezik për vendin sic ka thënë opozita, cka jeni duke bërë për ta larguar atë njeri. Si me bisedu për kanalizime, me bisedu për marrëveshje. Këtu ka hipokrizi”, tha ai.
Ai tha se Kurti nuk mund të rrëzohet vetëm me debate parlamentare e me debate në studio mediatike.
“Nuk mjafton vetëm një debat parlamentar ose një debat këtu. Ftesa ka qenë hajde të dalim t’ua spjegojmë njerëzve. Në fshatra, qytete në tryeza me intelektual, me grupe të interesit, të krijojmë masë kritike”, tha ai.
Limaj theksoi se “masa kritike” është një nga veprimet më të mira që duhet të bëjë opozita kundër qeverisjes së Albin Kurtit.