Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mirëpritur takimin e liderëve politikë të thirrur nga Albin Kurti, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm drejt daljes nga kriza politike në vend. Megjithatë, ai kritikoi përqendrimin e diskutimeve më shumë në interpretimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe më pak në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për situatën e krijuar.
“Pas tre muajsh u mbajt ky takim dhe, fatkeqësisht, më shumë u diskutua për qasje dhe këndvështrime individuale mbi aktgjykimin, sesa për atë që realisht është tema kryesore – zgjidhja e krizës politike”, u shpreh Limaj në një konferencë për media.
Ai theksoi se zgjidhja nuk mund të vijë përmes gjykatave, por vetëm përmes një marrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare.
“Kriza politike si kjo nuk zgjidhet me aktgjykime, por me marrëveshje politike. Edhe Gjykata Kushtetuese e ka dhënë këtë udhëzim. Kush ka pritur që gjykata do ta zgjidhë këtë krizë, nuk e njeh funksionimin e saj dhe të sistemit kushtetues.”
Limaj vlerësoi se në rast se partia e parë nuk arrin të krijojë shumicë, atëherë duhet të hapet rruga për parti të tjera, përfshirë edhe opsionin e një qeverie teknike, siç ka propozuar më herët LDK-ja.
“Nëse partia e parë nuk i ka votat, t’i jepet mundësia partisë së dytë. Nëse as ajo nuk i ka votat, atëherë të shkojmë me opsionin e qeverisë teknike, siç e ka propozuar z. Abdixhiku. E rëndësishme është që vendi të ketë institucione funksionale”.
Kreu i NISMA-s tha se do të jetë i angazhuar për të nxitur takime të tjera dhe për të kontribuar në ndërtimin e një marrëveshjeje që i hap rrugë daljes nga ngërçi institucional.
“Unë mendova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën e asaj që presin qytetarët e Kosovës. I ftova të gjithë drejtuesit që të fokusohemi në marrëveshje politike, sepse vetëm ajo e zgjidh menjëherë krizën”.