Lista Serbe ka bërë të ditur të martën se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në katër komunat veriore.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna pritet të mbahen më 18 dhjetor.
“Marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, duam të informojmë publikun se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, e as qytetarët që e përkrahin partinë tonë, nga të cilët mbi 95% janë në këto zona”, thuhet në njoftim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.