Lista Serbe ankohet në PZAP për vendimin e KQZ-së për moscertifikim

Lista Serbe ankohet në PZAP për vendimin e KQZ-së për moscertifikim

Lista Serbe ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anekesën lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kësaj partie për zgjedhjet lokale të tetorit.

Më herët gjatë ditës, në një konferencë për media, kjo parti tha se moscertifikimi i saj, është “i paligjshëm dhe diskriminues” i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se megjithëse Zyra për partitë politike rekomandoi certifikimin, KQZ-ja vendosi që ta refuzonte këtë rekomandim.

“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e [ministres në detyrë të Drejtësisë] Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

“Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, shtoi Ellek.

Sipas Ellekut, sa i përket përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë, në njërën anë është partia e tij, ndërkaq në anën tjetër janë “disa parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti”, duke shtuar se me moscertifimin e Listës Serbe, Kurti “dëshiron ta ndajë trupin politik serb”.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së përfshin edhe dëshmi të tjera që tregojnë se kandidatët e tyre kanë plotësuar kriteret.

“Bashkë me ankesën do t’i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t’u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti”, tha Simiq./REL

Related Articles