Liverpooli e ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në garën e ashpër për titull të kampionit në Premierligë, duke e mposhtur rivalin anglez, Manchester United.
Të përzgjedhurit e trajnerit, Jurgen Klopp triumfuan thellë 4:0 në stadiumin “Anfield Road” kundër “Djajve të Kuq”, të cilëve ua vështirësoi punët në garën e tyre për vendet që dërgojnë në Champions.
Se Liverpooli ishte superior në këtë takim e konfirmoi Diaz që realizoi golin e parë në minutën e pestë. Salah dyfishoi shifrat në minutën e 22-të.
Sadio Mane u regjistrua në listën e realizatorëve në minutën e 68-të, ndërsa ishte sërish Salah ai që vendosi epilogun e takimit me golin e katërt në minutën e 85-të.
Liverpooli me këtë fitore ngritet në vendin e parë me 76 pikë, dy më shumë se City që ka një ndeshje më pak. Man United në anën tjetër ka 54 pikë në pozitën e gjashtë.