Liverpooli ka triumfuar 1-0 mrekullisht përballë PSG-së, pasi këta të fundit ishin duke dominuar gjatë gjithë ndeshjes në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.
Fillimisht, PSG mendoi se kishte kaluar në epërsi me anë të Khvicha Kvaratskhelia në minutën e 20-të, mirëpo VAR-i e anuloi për pozicion jashtë loje.
Pesë minuta më vonë, Bradley Barcola kërkoi penallti pas rrëzimit në zonë nga Ibrahima Konate, mirëpo gjyqtari sinjalizoi se loja duhej vazhduar.
Në minutën e 29-të, Kvaratskhelia doli sërish përballë Alissonit, por ky i fundit bëri pritje fantastike.
Edhe Barcola testoi portierin brazilian pas tre minutash, mirëpo sërish Becker ishte vendimtar për Liverpoolin.
Kvaratskhelia për herë të tretë e testoi Alissoni, mirëpo brazilian vazhdoi të jetë i pamposhtur edhe pas 37 minutash lojë.
Gjeorgjiani (54’) vazhdoi edhe në pjesën e dytë të sfidonte portierin brazilian, mirëpo ky i fundit vazhdonte me pritje bravuroze.
Edhe Desire Doue pati mundësinë që të shënonte, mirëpo Alisson ishte sërish në nivelin e tij të lartë, duke bërë pritje fantastike në minutën e 80-të.
Por, në rregullin e pashkruar të futbollit: “Kush nuk shënon, pëson”, Harvey Elliott e bëri realitet kur shënoi golin e fitores për Liverpoolin në minutën e 86-të.
Liverpooli në javën e ardhshme i pret parisienët në “Anfield Road”, aty ku do të vuloset se kush kalon në çerekfinale.