Llapi triumfon ndaj Gjilanit, Dukagjini – Fushë Kosova ndahen në paqe

Llapi triumfon ndaj Gjilanit, Dukagjini – Fushë Kosova ndahen në paqe

Llapi ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Gjilanit në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Tahir Batatinës ka marrë edhe fitoren e radhës në kampionat, duke marrë përkohësisht edhe pozitën e parë pas këtyre tri pikëve ndaj Gjilanit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç rasteve arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e parë shtesë me Ahmed Januzin, i cili shënoi me kokë për epërsinë 1-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe me më shumë raste, me të dyja skuadrat që arritën të shënojnë nga një herë.

Të parët shënuan mysafirët me anë të Senad Jarovic, i cili ishte i saktë nga penalltia në minutën e 71-të për 1-1.

Kur pritej që ndeshja të shkonte drejt fundit, Llapi fitoi edhe një penallti të cilën e konkretizoi Muhamet Hyseni (89’) pas dy tentativave dhe vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 2-1.

Pas kësaj fitore, Llapi ka 50 pikë në pozitën e parë apo dy më shumë se Ballkani i dyti me një ndeshje më pak, ndërsa Gjilani renditet i teti me 22 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Llapi luan në udhëtim te Malisheva, ndërsa Gjilani e pret Lirinë.

Dukagjini dhe Fushë Kosova kanë luajtur baras në kuadër të xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës.

Pas 90 minutave në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë gola nuk pati 0-0.

Dukagjini me këtë pikë mbetet në pozitën e gjashtë me 31 pikë, derisa Fushë Kosova është e parafundit në tabelë me 16 sosh.

Në xhiron e ardhshme Dukagjini do të luaj në udhëtim te Prishtina, ndërkohë Fushë Kosova pret kampionin në fuqi Ballkanin.

Related Articles