Mobilizimi për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kundër Prishtinës është tejet i lart në taborin e Llapit.
Trajneri Tahir Batatina dhe futbollistët e Llapit e kanë cilësuar si “ndeshja e vitit” sfida kundër Prishtinës që luhet të mërkurën në “Zahir Pajaziti”.
E skuadra e Llapit sot e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të këtij dueli që pritet të përcjellet nga një numër i madh i tifozëve në stadium.
Presidenti i klubit, Beqir Batatina ka vizituar futbollistët dhe stafin e trajnerëve në këtë stërvitje për t’u dhënë mbështetje edhe më të madhe.
Llapi synon ta mbrojë trofeun e Kupës së Kosovës në mënyrë që të sigurojë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, njësojë sikurse në edicionin e kaluar.
Ndeshja e parë në kryeqytet kishte përfunduar me rezultat 2:1 në favor të Prishtinës, andaj për të arritur synimin llapjanët duhet të djerësiten fortë.
Takimi në stadiumin “Zahir Pajaziti” luhet të mërkurën me fillim nga ora 14:00 dhe bileta për këtë ballafaqim është falas.