Llapi ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Malishevës në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit kosovar.
Të parët që rrezikuan ishin vendasit të cilët në minutën e shtatë iu afruan golit përmes Besnik Feratit.
Mysafirët patën rastin e parë ideal në minutën e 12-të përmes Hamdi Namanit, por atij ia mohoi golin Ilir Avdyli me një super pritje.
Llapi ia doli të kalojë në epërsi në minutat shtesë të pjesës së parë, ku pas një aksioni tejet të bukur Ardit Tahiri realizoi për 1-0 pas asistimit nga Valmir Veliu.
Menjëherë në aksionin vijues të besuarit e Tahir Batatinës e gjetën edhe golin e dytë, kësaj radhe përmes Valmir Veliut që realizoi për 2-0 pas asistimit të Elvir Gashijanit.
Ndeshja u rihap sërish në minutën e 50-të kur Laurent Xhylani shënoi me kokë për të ngushtuar rezultatin në 2-1.
Teksa po i afroheshim fundit, llapjanët shënuan edhe golin e qetësisë përmes Elvir Gashijanit (86’) që realizoi për 3-1.
Llapi e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë në fushë pasi Besar Musolli u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve.
Me këtë fitore Llapi shkon në kuotën e 39 pikëve dhe aktualisht mban pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Malisheva renditet e treta me 47 sosh.