Kombëtarja e Shqipërisë tashmë ka përmbyllur rrugëtimin e saj në Euro 2024.
Të gjendur në “Grupin e Vdekjes” me kundështarsi Spanja, Italia dhe Kroacia, bën që aventura e “kuqezinjëve” të mos jetë shumë e lehtë, shkruan Gazeta Enigma.
Megjithatë futbollistët shqiptarë patën paraqitje dinjitoze në këtë kampionat duke bërë lojë të mirë ndaj kombëtarëve me klas botëror.
Ndërkaq të martën ata veçse janë kthyer në Aeroportin e Rinasit.
E me të mbërritur, njëri nga futbollistët më të përfolur të kombëtarës, Mirlind Daku ka dhënë një intervistë për mediat shqiptare.
Daku tha se “Euro 2024” nuk ishte dhe aq eksperiencë e mirë për të.
“Ka qenë një eksperiencë e mirë për gjithë grupin, por për mua jo shumë e mirë – duke e parë atë rastin që ndodhi. Por nuk kemi çfarë të bëjmë. Kombëtarja po rritet më shumë dhe jam i kënaqur që isha pjesë e saj në Euro 2024. Sylvinho u ndje krenar që e kemi përfaqësuar shumë mirë. Ne dinim që ky ka qenë grup i vështirë”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Mirlind Daku ishte dënuar me dy ndeshje moslojë nga UEFA, si shkak i pjesëmarrjes në thirrjet ofenduese ndaj serbëve dhe maqedonëve. /Gazeta Enigma