Lojërat e fatit po zhvillohen nëpër lokale të improvizuara, dogana me aksione (VIDEO)

Lojërat e fatit po zhvillohen nëpër lokale të improvizuara, dogana me aksione (VIDEO)

Nga jashtë duket një lokal i zakonshëm, madje të lë përshtypje që ende as një biznes nuk zhvillon veprimtarinë aty. Por e vërteta është ndryshe, në brendi të tij zhvillohet një nga veprimtaritë, me të cilat tash e shumë vjet është duke luftuar shteti: Lojërat e fatit.

Kushdo që kalon andej pari është nën vëzhgimin dhe syrin e kamerave. Një kamerë shërben për identifikimin e personave që trokasin aty dhe dera hapet vetëm për ata që luajnë lojëra të fatit, apo thënë shkurt klientët e rregullt të tyre.

Për të panjohur dera e objektit është gjithnjë e mbyllur. Por misteri i lokalit përfundoi në mesditën e 15 marsit, kur Njësiti i Hetimeve dhe Antikontrabandës i Doganës së Kosovës vendosën ta inspektonin atë.

Dyshimet e doganës që në atë objekt në Gjilan po zhvillohet veprimtari e jashtëligjshme ishin të sakta. Ato çka gjeti brenda njësia antikontrabandë ishin dëshmi të shumta për ushtrimin e lojërave të ndryshme të fatit.

Dhjetëra tiketa të basteve sportive, kryesisht atyre të futbollit, u gjetën si dëshmi në tavolinat e lokalit dhe mbanin datën e 15 marsit. Tiketa bastesh të atilla u gjetën edhe në dysheme dhe në shportat e bërllokut brenda hapësirave.

Muret e lokalit ishin me televizorë, e në to shiheshin aplikacionet për të shikuar dhe luajtur lojërat me “numra” dhe  “keno”, që në gjuhën e popullit njihet si “Lojëra me qen”. Përveç basteve për lojërat me qen dhe të futbollit, në objekt ka dyshime që zhvillohet edhe bixhozi. Kjo dëshmohet nga letrat e bixhozit që u gjenden të shpërndara në tavolinë.

Ndërkohë që ky lloj biznesi i paligjshëm ishte zhvilluar normalisht tregojnë edhe pijet alkoolike, kryesisht birra, që ishin në hapësirën e këtij lokali që u bastis nga Dogana e Kosovës.

Pavarësisht që lokali nuk kishte ndonjë emër të vendosur jashtë tij dhe faktit që lokali nuk është i regjistruar në ARBK – pasi lojërat e fatit nuk janë të lejuara në Kosovë, emri i lokalit duket të jetë “Bilardo”. Për emrin vijmë në konkludim nga emri i cili ishte i vendosur në “Wi-Fi”.

Pasi dogana e përfundoi aksionin e saj dhe fakti që gjetjet e saj dërguan në atë se pronarët e këtij lokali kanë bërë vepër penale në kundërshtim me “LIGJIN PËR NDALIMIN E LOJËRAVE TË FATIT”, që është hartuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, dogana lajmëroi policinë e cila ka vazhduar hetimet e mëtejme.

Në prillin e vitit 2019 ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte iniciuar ndalimin e lojërave të fatit në territorin e Kosovës, përmes një projektligji, i cili mori edhe bekimin e legjislaturës së atëhershme.

Ligji i hartuar nga qeveria dhe miratuar nga kuvendi u mor pas disa incidenteve në disa kazino të Kosovës, ku pati edhe disa të vrarë.

Por që nga ajo ditë, shumë kazino e biznese të ndryshme me lojëra fati kanë vazhduar veprimtarinë në mënyrë të jashtëligjshme, për çka gjatë  pesë vjetësh ka pasur shumë aksione në tentimin e institucioneve të rendit për të zbatuar këtë ligj.

Related Articles